Nga Ervis Iljazaj
Nëse duam vërtet që këtë potencial ta kthejmë në mundësi të zhvillimit ekonomik kombëtar dhe t’i bëjmë ballë konkurrencës së vështirë me vendet fqinje, lipset një strategji totalisht e kundërt nga ajo që kemi pasur deri më tani.
Turizmi kthehet në industri, jo me plane lokale apo me iniciativa personale të bizneseve dhe operatorëve turistikë, por me një vendim shtetëror dhe një plan kombëtar, i cili ka munguar.
Sigurisht që disponibiliteti i investimeve publike është i kufizuar. Mjafton që t’i drejtojmë në sektorë që na i kthejnë shumëfish ato.
Pothuajse asnjë nga multinacionalet e rëndësishme që operojnë në sektorin e turizmit nuk ka shkelur asnjëherë në tokën shqiptare, megjithëse ekzistojnë të gjitha hapësirat e mundshme.
Atëherë si shpjegohet ky fakt?
Sipas të gjitha teorive të ekonomisë ndërkombëtare, ku sigurisht janë të vlefshme edhe për sektorin e turizmit, dy janë faktorët që ndikojnë në investimet e huaja.
I pari është faktori i tregut: dimensioni i tij, kostot, subvencionet, sistemi fiskal dhe një krah pune që më shumë se i lirë kërkohet të jetë i specializuar.
Gjithsecili mund të japë mendimin e tij se në çfarë niveli Shqipëria i ofron ato. Ky është një diskutim që kërkon më shumë sesa një editorial gazete.
Ndërsa, për sa i përket faktorit të dytë që ndikon në tërheqjen e investimeve ndërkombëtare, ka të bëjë me kontekstin. Në këtë drejtim janë të rëndësishme cilësia e institucioneve, një administratë publike efikase, sistemi i drejtësisë, si dhe korrupsioni.
Andaj, nëse duam që të jemi tërheqës për korporatat ndërkombëtare, të cilat me të vërtetë kanë impakt në zhvillimin ekonomik afatgjatë, të gjithë këta indikatorë duhet t’i kemi në nivelet më të larta se çdo vend tjetër fqinj. Në të kundërt, diskutimet mbi investimet e huaja në Shqipëri do të vazhdojnë të jenë pjesë e konsumit politik të përditshëm dhe jo si një strategji makro për t’i tërhequr ato.
Shumë nga këta indikatorë dukshëm Shqipëria i ka në nivele shqetësuese. Mjafton këtu të përmendim sistemin e drejtësisë, efikasitetin e administratës publike apo krahun e punës, të cilin e kemi vetëm të lirë dhe shpeshherë të pakualifikuar për të kuptuar se përse mungojnë investimet e mëdha ndërkombëtare.
Megjithatë ka dhe një faktor tjetër të rëndësishëm i cili pengon korporatat e mëdha ndërkombëtare në tregun shqiptar. Është pengesa që i ka bërë klasa politike e jona sa herë që është afruar një e tillë. Sepse të kesh në tregun ekonomik korporata të rëndësishme ndërkombëtare, për një politikë miope si kjo shqiptare, do të thotë të kesh më pak ndikim. Korporatat e mëdha vështirë se mund t’i fusësh nën ndikimin e politikës, ashtu sikurse në mënyrë konstante kërkon të bëjë politika etatiste shqiptare.
Megjithëse ekziston një atmosferë pozitive nga mediat e huaja për Shqipërinë turistike, sidomos në vitet e fundit, shteti shqiptar kësaj atmosfere duhet t’i përgjigjet sa më shpejt dhe në mënyrën e duhur nëse vërtet nuk dëshirojmë që Shqipëria të humbë një nga asetet e saj më të rëndësishme, ndoshta, të vetmin të zhvillimit ekonomik.
Edhe këtë vit, si çdo vit, qeveria shqiptare raporton për ndërhyrje dhe problematika që ka zgjidhur, si problemi i mbetjeve e deri tek infrastruktura në shumë prej destinacioneve turistike.
Këto janë probleme për t’u zgjidhur, por, që ta kthejmë turizmin në një industri kombëtare, me gjithë kuptimin e fjalës, duhet një ndërhyrje strategjike, që kërkon para dhe investime të mëdha.
Që ta kthesh turizmin në një industri është diçka më serioze dhe impenjative sesa problematikat e përditshme që has çdo ditë. Duhet një vendim i madh shtetëror për të orientuar drejt bregdetit investimet për turizmin./Gazeta Liberale