Kreu i SPAK, Altin Dumani ka zhvilluar një takim informal me gazetarët e kronikës së zezë gjatë ditës së sotme.
Në takim Dumani nuk i ka shpëtuar interesit të gazetarëve për disa nga çështjet më të nxehta në Shqipëri, ku padiskutim një interes të veçantë kishte dhe fati i Ervis Martinajt.
I pyetur nga gazetarët se çfarë po ndodh me Martinajn, i zhdukur që prej 9 gushtit të vitit të kaluar, Dumani tha se për sa kohë grupi hetimor vijon hetimet ai konsiderohet i gjallë.
“Nuk kemi prova se ai ka vdekur. Për aq kohë sa e konsiderojmë të gjallë, po hetohet”, tha Dumani.
Ervis Martinaj, është konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm në Tiranë, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda, që kanë tronditur kryeqytetin. Ervis Martinaj është përmendur edhe në Gjyqin ndaj Emiliano Shullazit.
Martinaj ka qenë pronar i disa pikave të basteve dhe kazinove dhe është përmendur në 2016 për ngjarje të rënda kriminale.