Gazetari Flamur Vezaj vlerëson se zhdukja e Ervis Martinajt mund të jetë një inskenim, duke u shfaqur mosbesues ndaj pretendimeve se i shumëkërkuari mund të jetë rrëmbyer dhe ekzekutuar.
Në një intervistë për “Euronews Albania”, Vezaj u shpreh se inskenimi i rrëmbimit, mund të jetë e vetmja mënyrë që të kundërpërgjigjet ndaj armiqve të tij.
“Nuk kemi asnjë rast konkret, një pamje filmike të një institucioni apo të një vendi të ngjarjes ku Ervis Martinaj nuk është rrëmbyer. Deri më tani, jemi thjesht në aludimet se Ervis Martinaj është rrëmbyer. Unë dyshoj, duke njohur Ervis Martinajn si kontingjent kriminal, ai është një person shumë dinak, intrigant, ishte në gjendje të bënte shumë gjëra. Në të gjitha ngjarjet ku është përfshirë për vrasje, Ervis Martinaj ka dalë i pastër ose i papërlyer. Është një person shumë i kujdesshëm. Asnjëherë nuk është ekspozuar vetë me dorën e tij të kryejë një krim, ka përdorur persona të tjerë. Edhe në rastin konkret, mendoj që më shumë është inskenuar ky rrëmbim, sepse e vetmja mënyrë që të kundërpërgjigjet ndaj armiqve të tij, është që të lihet i qetë për disa kohë”, theksoi gazetari.