Reshjet e borës ndërprenë trafikun në akset kryesore në Holandë, duke shkaktuar vonesa dhe aksidente.
Autoritetet këshilluan njerëzit të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa qindra fluturime u anuluan dhe trenat rreth Amsterdamit u ndalën.
Aeroporti Schiphol i Amsterdamit, një nga qendrat më të ngarkuara të Europës, anuloi pothuajse 500 fluturime dhe qëndroi i mbyllur të hënën për shkak të borës.
Edhe Franca është goditur nga reshjet e dëborës. Parisi u zbardh, duke sjellë kënaqësi për turistët dhe një pjesë të banorëve, ndërsa të tjerë u përballën me bllokime të mëdha trafiku në autostradat e qyteteve të mëdha.
Aeroportet Charles de Gaulle dhe Orly të Parisit u detyruan të ulnin numrin e fluturimeve me 15% të hënën.
Akset kryesore u mbuluan nga akulli dhe autoritetet kanë apeluar për të bërë kujdes.
Edhe rajoni i Ballkanit është përfshirë nga moti i keq. Më problematike situata është në Serbi, ku në disa qytete trashësia e dëborës ka arritur në mbi 20 centimetra.
Për shkak të situatës, trafiku është bllokuar në kryeqytetin Beograd. Edhe në Aeroportin “Nikola Tesla” u anulua një pjesë e madhe e fluturimeve për shkak të borës së madhe dhe temperaturave të ulëta.
Ndërprerje e energjisë elektrike është raportuar në disa pjesë të vendit. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të shmangin lëvizjet e panevojshme të paktën deri të mërkurën.
