Prej datës 16 tetor në Durrës vijojnë garat për Kampionatin Europian për të rinj dhe U-23 të peshëngritjes, ndërsa dita e djeshme ka qenë shumë e rëndësishme për Shqipërinë në këtë aktivitet.
Peshëngritësja e talentuar Arjeta Rade i ka dhuruar Shqipërisë medaljen e parë në këtë eveniment. Shtangistja e Teutës ka fituar bronz në stilin e shtytjes në kategorinë U-23. Rade regjistroi rezultatin 102 kg, duke u klasifikuar e treta.
Më parë ishte renditur e gjashta në shkëputje me 75 kg, ndërsa me rezultatin e përgjithshëm 177 kg u klasifikua e katërta në dygarësh.
Kjo ishte medalja e parë dhe e vetme e shtangës kuqezi në Europian, që po mbahet në pallatin e sportit “Ramazan Njala”, një sukses që vjen nga peshëngritëse e shtëpisë, e cila stërvitet nga trajneri Besnik Psatha. Kujtojmë se garat në Kampionatin Europian për të rinj dhe U-23 do të mbyllen ditën e nesërme.