Kompania ajrore Adria Airways ka ndërprerë përkohësisht fluturimet për datat 24 dhe 25 shtator, dhe kjo sipas njoftimit të Autoritetit të Aviacionit Civil, për shkak të vështirësive financiare që po has kjo kompani.
Adria Airways njofton se, që prej orës 23:30 (LT), të datës 23 shtator 2019, do të ndërpres përkohësisht të gjitha fluturimet (e martë, 24 shtator dhe e mërkurë, 25 shtator) në të gjitha bazat e saj (Lubjanë, Prishtinë, Tiranë).
“Vendimi për të ndaluar përkohësisht fluturimet, vjen si pasojë e pasigurisë aktuale për të siguruar të ardhura, që kompania ajrore ka nevojë për të vijuar operimin e mëtejshën të fluturimeve. Në këtë pikë, kompania është duke kërkuar intensivisht zgjidhje, në bashkëpunim me investitorë të mundshëm. Qëllimi jonë i përbashkët është që Adria Airways të fluturojë përsëri dhe që ndërprerja e operimeve është me të vërtetë e përkohshme.”, thotë vetë Adria.
Kompania në njoftimin e saj jep dhe udhëzimet për pasagjerët që parashikonin të fluturonin me këtë kompani dhe i këshillon ata të kontrollojnë, se cila është kompania ajrore me të cilën ata do të udhëtojnë, para se të arrijnë në aeroport dhe nëse është Adria Airways, atëherë të kontaktojnë menjëherë zyrat e shitjeve ku kanë blerë biletat.