Gjykata Administrative rrëzon kërkesën për dëmshpërblim të familjarëve të ish-komisar Artan Cuku. Familjarët kishin kërkuar nga Ministria e Brendshme si dëmshpërblim shumën mbi 1 milion euro për humbjen e familjarit të tyre ish-efektiv policie i cili ishte kërcënuar dhe më parë dhe shteti nuk kishte marrë masa.
Megjithatë, kërkesa e tyre u rrëzua nga gjykata administrative me argumentin se nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë të shtetit me vrasjen e tij.
Ish-kryekomisari Artan Cuku u ekzekutua me armë në hyrje të liqenit artificial në 8 prill të vitit 2017. Nga hetimet e prokurorisë rezultoi se shkak i vrasjes së tij ishte hakmarrja për shkak të detyrës në kohën që ka qenë drejtues në Vlorë.
Nga hetimet e prokurorisë rezultoi se shkak i vrasjes së ish-komisar Artan Cukut është hakmarrja, pasi në kohën që ai mbante postin e drejtorit të policisë Vlorë, rihapi një vrasje të bujshme në këtë qark dhe vuri në pranga vrasësin Bledar Jambelli, i cili çuditërisht u lirua më pas nga gjykata.
Artan Cuku është shpallur “Dëshmor i Atdheut”, titull që iu dorëzua bashkëshortes së tij nga ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj.