Anëtari i Kryesisë së PD-së Fatbardh Kadilli deklaroi në emisionin “Arnautistan” në MCN TV se akuzat mes Bashës dhe Berishës do të lënë pasoja për një kohë të gjatë te njerëzit. Kadilli tha se PD s’mund ta konsiderojë veten aset kombëtar, për sa kohë ka pasur akuza për korrupsion ndaj Berishës dhe për gjobvënie ndaj Bashës.
“PD e quan veten aset kombëtar! Ça aseti kombëtar je?! Ne na akuzojnë, pjesën e Berishës për korrupsion dhe Bashën për gjobvënie! S’po them a janë të vërteta por akuzat janë atje. Kur ia hodhëm njëri-tjetrit i bëmë të besueshme për këdo. Ajo është fotografia që do t’u lëmë shqiptarëve për një kohë të gjatë. Rama e ka të thjeshtë, do bëheni me ata me vare apo me ata me blind. Berisha e përdor shpesh fjalën ndryshim, ndryshim, ka pasur aq shumë shanse të jetë në sy të shqiptarëve, saqë asgjë tjetër s’ka ngelur pa u gjykuar nga shqiptarët. I gjithë ekipi që ka rreth vetes noton në votat e Berishës. Asnjë nuk sjell vota më tepër sepse zëruan identitetin e Berishës”, tha Kadilli.
Fatbardh Kadilli deklaroi se do të vijë momenti në PD që idhujtarët do ta braktisin edhe liderin historik, Sali Berishën.