Nga Elton Metaj
Kopertina e fundit e revistës “Time”, me portretin e Liderit Suprem të Iranit, Ali Kamenei, ka ngjallur debate në rrjetet sociale për shkak të ngjashmërisë së saj me dy kopertina të shkuara të liderit libian, Muamar Gadafi (shtator 2011) dhe Presidentit të Irakut, Sadam Husein (mars 2003).
Gadafi dhe Husein, sundimtarët e dy vendeve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, zonë e njohur me shkurtimin MENA (Middle East and North Africa), u larguan nga pushteti dhe më pas u ekzekutuan pas operacioneve të forcave amerikane dhe aleate.
Pesha publike e revistës amerikane me qendër në Nju-Jork është e padiskutueshme dhe kryeveprat e saj në gazetari prej vitit 1923 janë një gur i rëndë në vërtetësinë e raportimeve dhe analizave. Por përtej kësaj, përtej imazhit të grisur në kopertinën e një reviste botërore, duket se fati i Liderit Suprem të Iranit tashmë është shkruar dhe vulosur. Për më tepër edhe printuar. Dhe kjo nuk ka lidhje domosdoshmërisht me bombat që SHBA po përgatit të “valëvisë” mbi Teheran apo rezistencën e çelikut dhe betonit në bunkerin nëntokësor të Kameneit në Lavizan. I dobësuar dhe turpëruar vetëm me një javë bombardime dhe me bashkëpunëtorët më të afërt që “zhduken” çdo ditë, sot Lideri Suprem nuk mund të bëjë dot as luftën, as paqen.
Dy javë frymëmarrje për diplomacinë të vendosura nga Donald J. Trump janë më të rënda për t’u gëlltitur për liderin autoritar se çdo bombë drejt Teheranit, pas së cilës ai mund të përsërisë se “do të hakmerret ashpër”. Të shpjegosh arsyet e tërheqjes dhe paqes me Trumpin dhe Netanjahun është shumë më e vështirë se të dorëzohesh i mundur, i gjallë apo i goditur nga ndonjë raketë izraelito-amerikane.
Kushti amerikan për paqe është i qartë që dorëzimi i Iranit duhet të jetë pa kushte. Por për një lider dhe regjim të mësuar të sundojnë e shtypin, së pari, popullin e tyre dhe të kërcënojnë botën mbarë, ky do të ishte turpërim dhe ndoshta starti i ikjes nga pushteti përmes revoltave popullore apo më keq akoma një grushti shteti nga ata që ende besojnë te trashëgimia e errët e Revolucionit.
Në krahun tjetër, fuqia ushtarake amerikane rreth Iranit po shtohet dhe bazat e tyre kanë krijuar tashmë edhe rezerva gjaku, duke vendosur gjithçka në formacion luftimi. Evakuimi i qytetarëve amerikanë dhe jo vetëm, po intensifikohet dhe ditët e afatit dyjavor kanë nisur të konsumohen me shpejtësi.
Ndaj më i interesuari për të parë kopertinat e “Time” duhet të jetë vetë Ali Kamenei. Si për koincidencë, data zyrtare e botimit të revistës “Time” me Liderin Suprem në kopertinë, nuk është sot, por 7 korrik 2025.


