Konfederata Braziliane e Futbollit emëroi drejtoreshën e parë grua, që do të ketë detyrën e mbikëqyrjes së projekteve të reja të ndërtimit.
Arkitektja Luisa Rosa ka punuar në komitetet organizative për Kupën e Botës 2014, Olimpiadën e vitit 2016 dhe Lojërat Paraolimpike që u mbajtën në Rio de Zhaneiro. Ajo u përfshi edhe në projektet arkitekturore të këtij viti në Kupën e Botës në Katar.
33-vjeçarja Rosa do të ketë detyrën e krijimit të 15 qendrave të zhvillimit me paratë e përfituara nga Brazili, kur priti Botërorin në 2014.
Presidenti i Konfederatës Braziliane të futbollit Ednaldo Rodrigues tha se emërimi i Rozës si Drejtoreshë e Aseteve mund të shërbejë si stimul për të tjerët.
Emërimi i saj vjen një vit pasi ish-presidenti i institucionit numër 1 të futbollit brazilian u shkarkua nga detyra nga Komiteti Etik, pas akuzave se ai kishte ngacmuar seksualisht punonjëset. Rogerio Caboclo ka mohuar akuzat.