Emanuel Egbo duket se tani po e kupton relaisht atë që ka arritur në stolin e Tiranës, duke u shpallur kampion i Shqipërisë. Tekniku i bardhebluve është kthyer në personazhin e ditës në Afrikë ku vazhdojnë intervistat e tij të panumërta atje dhe komplimentet pasi ka bërë një gjë të cilën asnjë afrikan tjetër më parë nuk e ka arritur.
Kjo ka sjellë urime edhe nga Federata Nigeriane e Futbollit e cila i ka nisur atij një letër urimi duke e përshëndetur për arritjen e tij në Shqipëri.
“Është me një krenari të madhe që Federata dhe e gjithe familja e futbollit ngierian mësoi për arritjen tënde shembullorë si trajneri i parë nigerian, me ngjyrë dhe afrikan që fiton një kampionat madhor europian, pasi ke drejtuar KF Tiranën në majën e kampionatit shqiptar kur kanë mbetur edhe pak ndeshje deri në fund të seioznit. Gjatë kësaj arritje, u bërë njëkohësisht edhe afrikani i parë që kualifikon një skuadër për Ligën e Kampioneve”, shkruhej në letrën që iu dërgua nga Sekretari i Federatës, Mohamed Sanusi.
Vetë Egbo nuk e ka fshehur dëshirën që ka që të jetë pjesë e ekipit kombëtar të Nigerisë dhe në një intervistë televizive tregoi se ishte gati të jepte kontributin e tij, edhe pse ndërkohë Tirana e mendon të rinovuar kontratën me të. “Do të ishte krenari e madhe që të kthehem të jap kontributin për vendin tim, të gjithë do të dëshironin. Dua që të shoh Nigerinë të luftojë përsëri për të fituar Botërorin, siç nuk kemi bërë kohët e fundit. Jam gati nëse më bëjnë një ftesë”, ishin fjalët e Egbo.