Më 21 nëntor ambasada shqiptare në Athinë organizoi një pritje me rastin e 113-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Mediat greke i kanë kushtuar një hapësirë të madhe darkës gala ku morën pjesë përfaqësues të lartë të politikës dhe anëtarë të qeverisë greke si zëvendëskryeministri Kostis Hatzidakis, ministri i Mbrojtjes Kombëtare Nikos Dendias dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme Haris Theocharis.
Në këtë takim, ambasadorja e Shqipërisë në Athinë Luela Hajdaraga njoftoi vizitën e ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali në Athinë më 16 dhjetor, në kuadrin e një takimi dypalësh me homologun e saj grek Giorgos Gerapetritis.
Publikuar nga Maria Mourelatou, për gazetën “Ta Nea”, më 24 nëntor 2025
Mesazhe për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shqiptaro-greke në rrugën drejt anëtarësimit në BE u përcollën gjatë një aktiviteti të gjerë të mbajtur në hotelin “Grand Bretagne” mbrëmjen e së premtes (21/11), të organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Athinë me rastin e 113-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë (28/11/1912).
Në darkën festive ishin të pranishëm anëtarë të qeverisë greke, ndër ta Nënkryetari i Qeverisë Kostis Hatzidakis, Ministri i Mbrojtjes Kombëtare Nikos Dendias dhe zëvendësministri i Jashtëm Haris Theoharis.
Partinë e PASOK-ut e përfaqësuan Dimitris Mantzos dhe Pavlos Hristidis, ndërsa në aktivitet mori pjesë edhe Kryebashkiaku i Athinës, Haris Doukas, të cilin ambasadorja e Shqipërisë, znj. Luela Hajdaraga, e falënderoi posaçërisht për bashkëpunimin e shkëlqyer si dhe për ndriçimin e Sheshit Omonia me ngjyrat e flamurit shqiptar më 28 nëntor, “një gjest që”, siç theksoi ajo, “vlerësohet thellësisht nga të gjithë shqiptarët”.

Në darkën solemne, e shoqëruar me muzikë, të pranishëm ishin ambasadorë: ndër ta ambasadori i Turqisë në Athinë, Çağatay Erciyes, përfaqësues të Forcave të Armatosura, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, si dhe personalitete të tjera. Surpriza e mbrëmjes ishte një mesazh i regjistruar nga ministrja e Shtetit për Prokurimet Publike dhe Inteligjencën Artificiale në qeverinë Rama, znj. Diella, e cila iu drejtua për herë të parë publikut grek.
“SONTE FESTOJME MARRËDHËNIET SHQIPTARO-GREKE”
Në fjalën e hapjes, ambasadorja e Shqipërisë u ndal gjerësisht në historinë e suksesit të vendit, në objektivin kombëtar të anëtarësimit në BE dhe në rolin e veçantë që luajnë dy popujt në marrëdhëniet dypalëshe. Ajo konfirmoi për gazetën “TA NEA” mbërritjen zyrtare të Ministres së Evropës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali, në Athinë më 16 dhjetor, për një takim dypalësh me homologun e saj grek, z. George Gerapetritis.
“Viti 2025 shënon një arritje historike: Brenda vetëm një viti, Shqipëria hapi të gjitha kapitujt e negociatave të anëtarësimit në BE, duke reflektuar vendosmërinë e institucioneve dhe popullit tonë për t’u bërë anëtare e plotë e BE-së deri në vitin 2030. Ne shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për të gjitha vendet që na kanë mbështetur në Bruksel. Jemi veçanërisht mirënjohës ndaj Greqisë, mbështetja e palëkundur e së cilës ka qenë vendimtare për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së”, deklaroi ambasadorja Hajdaraga.

Ajo nënvizoi gjithashtu se Shqipëria pati rol aktiv në diskutimet ndërkombëtare për paqen, sigurinë, energjinë dhe lidhshmërinë; se ekonomia e vendit vazhdon të rritet; investimet e huaja janë në nivele rekord; dhe se mbi 11 milionë turistë vizituan Shqipërinë duke u tërhequr nga mikpritja dhe peizazhet mbresëlënëse.
“Sonte, festojmë gjithashtu marrëdhëniet shqiptaro-greke, të ndërtuara mbi besim, partneritet strategjik, vlera të përbashkëta evropiane dhe lidhje të thella njerëzore. Minoriteti grek në Shqipëri dhe diaspora e gjallë shqiptare në Greqi mbeten ura të rëndësishme mirëkuptimi dhe bashkëpunimi. Vitin e ardhshëm do të shënojmë 55-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe të dy vendet punojnë mbi një agjendë pozitive për të ardhmen. Bashkëpunimi ynë ka përparuar nëpërmjet vizitave të shpeshta, takimeve dhe projekteve të përbashkëta dhe Greqia është tashmë partneri i tretë më i madh tregtar i Shqipërisë. Në vitin 2024, mbi pesë milionë qytetarë kaluan kufirin tonë të përbashkët, dëshmi se miqësia nuk njeh kufij”, u shpreh ambasadorja.
