Besimtarët ortodoksë të Korçës kanë festuar ditën e verës. Me këtë rast të rinjtë kanë ndezur zjarre si simbol i kësaj dite.
Banorët tregojnë se ndezja e zjarreve tregon ikjen e stinës së dimrit dhe ardhjen e pranverës.
“Këto janë festa pagane që janë ruajtur me shekuj. Kështu i gjetëm kështu po i transmetojmë. Tregon kalimin e dimrit, po vjen pranvera, ndryshon e gjaku edhe koha. Janë popullore por e të vërteta. Janë ato tradicionale, kulacka me ca forma, këto janë traditat e vjetra.
Nuk festohet njësoj se s’ka as fëmijë, ishalla të mbajë koha herën tjetër, bëjmë debat me shoqërinë, juve s’ju mbajti koha neve na mbajti”, tha një i moshuar.
“Gëzuar Ditën e verës dhe uroj mbarësi për gjithë shtëpitë korçare. Ne në familje bëjmë kulac, bëjmë zjarrin me shokët, kapërcejmë zjarrin sepse thonë që digjen morrat, vëmë veroret dhe në fund i lëmë në çati”, tha një djalë i vogël.
Në Ditën e Verës besimtarët ortodoksë përgatitin gatimet e tyre tradicionale dhe vendosin veroren. Dita e Verës festohet për besimtarët ortodoksë më këtë ditë për shkak të kalendarit gregorian. Festën e ditës së verës e kanë festuar të gjithë besimtarët ortodoksë të juglindjes së vendit.