Sot, bota do të njohë kampionet, në përballjen e madhe mes Francës dhe Argjentinës. Të dyja kombëtaret e kanë fituar nga dy herë Botërorin dhe kjo do jetë e treta, ndërsa historia thotë se në 10 përballje në finale mes europianëve dhe amerikano latinëve, 7 i kanë fituar këta të fundit.
Emocionet janë të shumta, ndërsa të panumërta janë reagimet dhe postimet e fansave në mbështetje të skuadrës së tyre të zemrës. Edhe politikanët nuk kanë se si të mbeten të pa përfshirë në evenimentin më të madh të planetit, “Fifa World Cup”.
E para që ka thyer akullin është ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali. Ajo ka publikuar në rrjetet e saj sociale një foto të yllit argjentinas, Lionel Messi.
“Vamos”-shkruan Spiropali krahas fotos së Messit, duke na treguar lojtarin e saj të preferuar, një mesazh ky i nënkuptuar se në këtë finale ajo është tifoze me Argjentinën.
Koeficentët për fitimin e kupës më të lavdishme janë të barabartë, ndërsa kombëtarja që ia del do shpërblehet me 40 milionë euro. Finalja që nis sot në orën 16:00 do luhet në stadiumin Lusail të Dohas, me kapacitet 88 mijë vende. Në këtë aspekt Argjentina është e favorizuar pasi priten mbi 40 mijë tifozë në mbështetje të tyre, ndërsa te Franca jo më shumë se 10 mijë.