Deputeti socialist Erion Braçe, që gjithmonë është një zë kritik për çdo anormalitet që ndodh në këtë vend, ka reaguar disi i irrituar për çmimet e dhomave të hoteleve që pothuajse janë 5-fishuar dhe 10- fishuar ditën e finales së Conference League që do të zhvillohet në kryeqytet më 25 maj, mes italianëve të Romës dhe holandezëve të Fejnordit.
Braçe shprehet se të dyja vendet, Italia dhe Holanda që do përfaqësohen me skuadrat e tyre në këtë finale, kanë hapur dyert për 30 vite për shqiptarët. “Nuk po ju kërkon kush të hapni hotelet e shtëpitë e dyta e të treta falas. Asfare! Po kërkoj të ndalet kjo grabitje, kjo zhvatje”, shkruan ai në rrjetet sociale.
POSTIMI I ERION BRAÇES:
“1000 euro një dhomë hoteli në Tiranë? 1500/2000 euro një apartament në Tiranë? Po turp a keni? Kjo është grabitje, zhvatje, një dëm kolosal për atë që ne jemi dhe, ne nuk jemi të tillë! Po e bëjmë këtë turp ndaj njerëzve të dy vendeve që na kanë mirëpritur prej 30 vitesh, dyer hapur për çdokënd! Nuk po ju kërkon kush të hapni hotelet e shtëpitë e dyta e të treta falas. Asfare! Po kërkoj të ndalet kjo grabitje, kjo zhvatje! Kaq!”, ishin fjalët e deputetit socialist Erion Braçe për situatën që është krijuar në lidhje me çmimet e hoteleve në ditën e finales.”