Yaroslav Rakytskyi nuk do të ketë më mundësi të veshë fanellën e kombëtares së tij, atë të Ukrainës, për faktin e thjeshtë se në janar firmosi me Zenit, një klub rus. Konflikti politik mes Ukrainës dhe Rusisë është aq i tensionuar aq sa ka prekur edhe futbollin. Mbrojtësi 29-vjeçar kaloi nga Shakhtar Donetsk në Rusi për 10 milionë euro dhe katër ditë pas marrëveshjes konfirmohet mungesa e tij në listën e ardhshme të trajnerit Andriy Shevchenko.
Trajneri i përfaqësueses U21 të Ukrainës, Ruslan Rotan konfirmoi vendimin: “Futbolli dhe politika janë të lidhur ngushtë, për të do jetë e vështirë të grumbullohet dhe ai e di.”
Më i ashpër në komentin e tij ishte shoku i kombëtares, Fedetski, i cili tha: “Është i papranueshëm kalimi i tij në Rusi. Çfarëdo që të ndodhë, duhet të respektojmë origjinën tonë. Nuk kam fjalë, zgjedhja e Rakytskyi ka shkaktuar kaq shumë kritika, tani do të jetë e vështirë të grumbullohet”.
Në mbrojtje të vendimit të lojtarit doli Oleg Salenko, ish-sulmuesi ukrainas që zgjodhi të përfaqësojë Rusinë në Kupën e Botës 1994, aty ku doli golashënuesi më i mirë. Ai është i bindur se vendimi final i takon trajnerit Shevchenko, por theksoi se duhet parë se çfarë jep në fushë lojtari dhe jo në cilin shtet luan.