Fjalimi i presidentit rus Vladimir Putin në prag të 1 vjetorit të luftës në Ukrainë në Asamblenë Federale të vendit, është dëgjuar nga mbarë bota, por Shtëpia e Bardhë nuk do reagojë. “Presidenti amerikan, Joe Biden, nuk do t’i përgjigjet akuzave të homologut rus, Vladimir Putin”,-thotë Këshilltari për sigurinë kombëtare në Shtetet e Bashkuara, Jake Sullivan, i cili thekson se Uashingtoni nuk e vlerëson fjalimin si një përballje kokë më kokë, apo sfidë oratorie.
Sullivan iu përgjigj Putinit duke thënë se akuza e tij se perëndimi po sulmon Rusinë, është një absurditet. Në këtë debat në distancë ka ndërhyrë dhe Sekretari Amerikan I Shtetit, Antony Blinken, i cili nga Athina, deklaroi se lufta e Putinit ishte një dështim strategjik.
Nga ana tjetër, fjalimi i Biden në Poloni po pritet me mjaft kureshtje në Kremlin. Këtë e konfirmoi zëdhënësi Dmitry Peskov, që saktësoi se Putini nuk do të jetë mes atyre që do e ndjekin, por këshilltarët e tij. “Presidenti do të informohet vetëm për pikat kryesore të fjalimit”, nënvizoi zëdhënësi i Kremlinit.