Babai i ish-ushtarit të UÇK-së, Dritan Goxhaj ka folur për çështjen e arrestimit të djalit të tij.
Për Euronews Albania, Dilaver Goxhaj u shpreh se djali i tij ndodhet i qetë dhe krenar në burg për misionin e kryer dhe mbështetjen në pavarësinë e Kosovës.
“Dritani është i qetë për arsye se është krenar që ka marrë pjesë në dy luftëra shqiptare në Ballkan nga tre luftëra që janë bërë. Nuk ka bërë asnjë lloj krimi, dënohet thjesht për fjalën e lirë dhe nuk është aspak i shqetësuar. Është shumë mirë dhe i bindur që nuk ka për t’i ekstraduar. I bindur se drejtësia shqiptare do të jetë drejtësi demokratike”, tha ai.
Ish-luftëtari i UÇK-së akuzohet se ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve në disa çështje të hapura më parë nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Goxhaj akuzohet si i dyshuar për veprat penale pengim i punës së zyrtarëve dhe frikësim i dëshmitarëve sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.