Bujar Muli, një 31 vjeçar shqiptar, me guxim e trimëri, i ndihmuar edhe nga kolegët e tij, gjithashtu shqiptarë, ka shpëtuar dhjetëra jetë njerëzish në Avallon të Francës.
Gjithçka ndodhi pas ndërrimit të viteve, në një diskotekë në Avallon të Francës ku qytetarë të shumtë ishin mbledhur për të festuar ardhjen e 2019-ës.
Një person i armatosur ka mbërritur pas orës 04:30 në diskotekë, dhe ka tentuar të hyjë me kallash në ambientet e brendshme por, shqiptari 31 vjeçar, nga Vushtrria e Kosovës, ka mundur të reagojë në kohë, duke e qëlluar me grushte dhe duke e rrëzuar përtokë autorin e armatosur. Bujari punon si truprojë në diskotekë dhe falë reagimit të tij e koelgëve u bë i mundur parandalimi i një sulmi që mund të ishte fatal.
Bujari tregon për newsbomb.al gjithçfarë ndodhi, natën e 1 janarit dhe se si ai neutralizoi autorin pa menduar për asnjë moment për jetën e tij por vetëm për klientët që gjendeshin brenda diskotekës.
31 vjeçari merret me sport dhe njihet si njeriu më i fortë në Kosovë për shkak se arrin të ngrejë pesha të rënda e të thyejë rekorde ekstreme.
“Hulku” kosovar ka ngritur një traktor që peshonte 1000 kilogram dhe ka ngritur mbi shpinë 600 kilogram.
Bujar, përgëzime për guximin dhe gjestin heroik. Si fillim, do doja të bënit një prezantim të shkurër të vetes për të gjithë ata që ende nuk kanë dëgjuar për ju.
Unë jam Bujar Muli jam nga Kosova, qyteti Vushtrri. Jetoj mes Francës dhe Zvicrën. Në Francë edhe punoj. Merrem me sport, “Strong Man”, i vetmi në Kosovë.
Si u gjendet në diskotekë? Ç’ndodhi natën e sulmit?
Unë punoj në diskotekë si truprojë sigurie. Natën e ndërrimit të moteve, rreth orës 04:30 të mëngjesit erdhi me veturë nga e cila doli një person me një kallashnikov. Në diskotekë kanë qenë rreth 200 njerëz. Unë me kolegët e mi kemi qenë brenda pastaj më thirrën dhe më treguan se dikush po tenton të hyjë brenda me kallash. Në atë moment, me kolegët të cilët po ashtu janë shqiptarë, kemi vendosur që të rrezikojmë jetën tonë për t’i mbrojtur klientët.
Si mundët të reagonit kaq shpejt? Ju ndërkohë ishit i armatosur?
Ne kurrë nuk jemi të armatosur e as nuk kemi pasur mjete mbrojtëse.
Në atë moment unë nuk kam menduar për veten time po për njerëzit që ishin brenda.
E kam ndierë obligim moral sepse unë jam për siguri aty e kam dalë pa e menduar dy herë.
Ju jeni përballur më herët me raste të ngjashme? Ishit i përgatitur e trajnuar për këtë?
Kemi pasur raste dhe perleshje të ndryshme po jo të kesi lloji. Unë jam marrë në moshë rinore me judo edhe karate. Këto sporte më kanë ndihmuar shumë.
Sipas raportimeve policore vendase, bëhej fjalë për një sulm terrorist? Ç’dini për autorin dhe ç’ndodhi më pas me të?
Policia na ka treguar se ai ishte ushtar francez dhe tashmë ligji i ushtrisë do merret me të. Duke marrë parasysh që ai është francez dhe ushtar i atij shteti, sigurisht ata nuk e quajnë sulm terrorist.
Unë nuk mund ta quaj sulm terrorist apo diçka tjetër. Thjesht kam kryer detyrën time.
Po klientët dhe vetë pronarët e diskotekës si reaguan pas aktit tuaj?
Kur e kemi pa personin me armë në kamera, atëherë unë i kam urdhëruar klientët të largohen në njërën anë të diskotekës që është pak sa e fshehur. Pastaj mbas gjithë atij manovrimi, kur ia dorëzuam autorin policisë, i siguruam klientët që gjithçka është në rregull, që rreziku kaloi dhe ata mundën të vazhdinin të qendronin të qetë.
Dhe ashtu, festa vazhdoi deri në orën 6:00 të mëngjesit,
Pronari më ka përgëzuar për guximin, trimërinë dhe Punën time, është tejmase i kënaqur.
Në pak minuta lajmi bëri xhiron e botës dhe ju jeni cilësuar si hero… Si ju bën të ndiheni kjo?
Më bën shumë të lumtur për faktin që ne si shqiptarë patëm mundësinë të tregojmë veten e t’i tregojmë botës se kur duhet të mbrojmë jetën e një njeriu tjetër ne nuk kursejmë as tonën.
Falenderoj shumë Zotin e madhërishëm.Zoti e bekoftë Kosovën dhe Shqipërinë! /
Nga Anta Muçaku