Dekreti i Presidentit duhet të botohet në Fletoren Zyrtare që të bëhet i vlefshëm dhe sipas ligjit kjo duhet të bëhet brenda 10 ditëve.
Numri i fundit i Fletores Zyrtare daton një ditë pasi kreu i shtetit firmosi si datë të re zgjedhjes 13 tetorin 2019, por dekreti i tij nuk është i botuar në numrin 92, datë 28/6/2019.
Në nenin 10, pika 1 të ligjit 78/14 “Për organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve Zyrtare”, thuhet: Afati i botimit të akteve të botueshme është jo më vonë se 10 ditë nga data e ardhjes së aktit për botim.
Mirëpo në pikën tre të këtij neni thuhet: Në rast të masave të jashtëzakonshme, si dhe në rast nevoje dhe urgjence, institucioni i interesuar bën kërkesë të arsyetuar për botimin sa më parë të një akti në numrin më të parë të Fletores Zyrtare të radhës.
Nuk dihet nëse Presidenca ka ndjekur këtë rrugë për të botuar dekretin e Presidentit për datën e zgjedhjeve në numrin e të premtes të Fletores Zyrtare, por ajo që dimë është që të paktën dy ditët e para të afatit dhe para 30 qershorit, dokumenti i Presidencës nuk është botuar./ tirananews.al
