Si flirtojnë vajzat dhe djemtë në Tiranë? Kjo ka qenë tema e bisedës në ‘Vizionin e Pasdites’ me Evi Reçin pasditen e djeshme. Të ftuar për të folur rreth kësaj teme kanë qenë gazetarët Rudi Hizmo, Kilda Hysenbegasi dhe Zhaklina Lekatari. Të tre kanë nisur të rrëfjenë eksperiencat e tyre me flirtin dhe është vënë re se nuk kanë qenë fort të ngjashme.
Për Zhaklinën flirti ndodh kudo, nuk ka ditë apo natë, mund të ndodhë në një ambient pune ashtu sikurse mund të ndodhë edhe në club. Ndërkohë ajo tregon se shqiptarët, sidomos meshkujt, nuk e kanë të zhvilluar kulturën e flirtit ndaj edhe bien shpeshherë në vulgaritet.
Pothuajse të njëjtën ide ndante edhe Kilda, e cila e çoi më tepër mendimin duke treguar se shumica e flirtit të të rinjve sot ndodh në club, nis me shikime, qerasje e ndonjë pijeje dhe më pas hapi tjetër kalon në rrjete sociale. Edhe ajo bëri një diferencim midis meshkujve shqiptarë dhe atyre të huaj përsa i përket gjuhës që përdorin. Sipas Kildës, meshkujt e huaj janë më delikatë në komplimentat dhe fjalët që përdorin për të flirtuar ndërkohë që meshkujt shqiptarë janë ‘më të rëndë’. Megjithatë, një trend që ajo ka vënë re kohët e fundit është se meshkujt kanë filluar të presin më shumë nga vajzat, të kenë një sjellje më indiferente, detaj ky që sipas Kildës është duke e prishur bukurinë e flirtit.
Nga këto mendime të saj, Rudi Hizmo ka nisur të fishkëllejë si për të inskenuar një moment flirti por Kilda ia ka kthyer menjëherë duke i thënë “Jo kjo është shumë e vjetër, bëhej në kohën tëndë”, çka ka shkaktuar të qeshura në panel.