Këtë të diel, Flori dhe Sadina, bashkëshortja e tij, festuan plot 15 vjet nga njohja e tyre. Që nga vitet e Liceut, kur studionin të dy e deri më sot, çifti i bashkëshortëve kanë qenë përherë bashkë. Sot, prindër të dy fëmijëve, Krena dhe Glauk, Flori dhe Sadina ndihen të lumtur me familjen e tyre, ndonëse, aktori nuk e ka mbyllur ende me fëmijët. Në fillim donte të kishte katër, ndërsa tani ka dëshirë të ketë plot 5 fëmijë.

Provën se mund t’ia dalë edhe me 5, e dha edhe sonte nga anija e Piter Panit ku ishte i ftuar përballë fëmijëve. Duke iu përgjigjur shumë prej pyetjeve interesante të fëmijëve e kureshtjes së publikut, Flori rrëfeu se një ditë më parë, ai kishte festuar 15-vjetorin e njohjes me dashurinë e jetës, atë që sot është bashkëshortja dhe nëna e dy fëmijëve të tij.

Por derisa erdhi Sadina drejt rrugës së tij, Flori nuk kishte besuar kurrë te dashuria me shikim të parë. Kësaj pyetjeje, madje, ai iu përgjigj pa u menduar gjatë: “Unë nuk besoja te dashuria me shikim të parë derisa njoha Sadinën…”, – tha i bindur duke shtuar se ishte pikërisht ajo që i tregoi se çfarë ishte dashuria e vërtetë.