Porti i Durrës gjatë fundjavës që lamë pas shënoi një fluks të lartë udhëtarësh me rastin e festive të fundvitit, ku prej 18 dhjetorit kanë nisur edhe lundrimet e dyfishta të trageteve në linjat që lidhin Durrësin me portet fqinje të Italisë.
Autoriteti Portual Durrës bëri të ditur për ATSH-në se “gjatë periudhës 18–22 dhjetor, nëpërmjet Portit të Durrësit kanë hyrë në vendin tonë 17,380 udhëtarë dhe 4,352 automjete”.
Autoriteti Portual Durrës në bashkëpunim me të gjitha strukturat që operojnë në këtë pikë kufitare është në gatishmëri të plotë për përpunimin e udhëtarëve dhe turistëve.
“Aktualisht po funksionojmë me 24 sportele duke garantuar siguri, lehtësi procedurash dhe shërbim të pandërprerë për qytetarët që kanë zgjedhur të kthehen në vendin tonë gjatë kësaj periudhe”, theksoi APD.
Sipas APD-së edhe gjatë fundjavës që vjen pritet të mbërrijnë afërsisht 20 mijë udhëtarë.
Lundrimet e dyfishta do të kryhen deri në fund të vitit nga e enjtja deri të dielën, ndërkohë strukturat portuale dhe instancat operuese janë në gatishmëri të plotë për menaxhimin e intensitetit të shtuar të lëvizjeve.
