Fokusohuni tek puna juaj, mbani larg mediat! Ka qenë kjo porosia e kryeprokurores së përgjithshme të Përkohshme Arta Marku për prokurorët e Krimeve të Rënda, gjatë analizës së këtij institucioni.
Marku tha porosi hetimin sa më shpejtë të çështjeve të nxehta që kanë trazuar sitautën në vend, si nga ana politike dhe ajo kriminale. Por problem për të është nxjerrja e sekretit hetimor duke bërë përgjegjës pa emra prokurorët.
“Prokurori e Krimeve të Rënda është më e rëndësishmja në vend për shkak të kompetencave të saj lëndore. Kjo vëmendje e shtuar për hir të së vërtetës rrit presionin në punën tuaj. Ka qenë një vit shumë i ngarkuar, prokurorët disa prej jush, keni treguar se dini të punoni, por gjatë këtij viti disa prokurorë na kanë bërë të na vijë turp që jemi prokurorë.
Kanë nxjerrë sekrete hetimore. Disa kanë harruar të bëjnë hetime proaktive që duhej të bënin. Ju jeni prokurorë si gjithë të tjetër, por keni patur fatin të punoni në këtë Prokurori. Të hetohen sa më shpejt çështjet që kanë trazuar jetën dhe kanë tronditur kryeqytetin. Mbani larg median nga hetimi, gazetarët nuk janë pjesë e hetuesve. Mos lini pas dore hetimet pasurore. Krimi dhe korrupsioni duhet hetuar çdo ditë”, tha Marku.