Ndërsa partitë politike pritet që të nisin hartimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit 2021, Kuvendi pritet të diskutojë mbi rregullat e ndalimit të kandidimit dhe zgjedhjes së një funksionari të lartë publik.
Sipas një projektligji të depozituar në Kuvend në ditët e fundit të 2020, do të ndalohet kandidimi dhe zgjedhja deputet në Kuvendin e Shqipërisë apo edhe në pushtetin vendor i atyre pesonave që janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, jo vetëm në vendet e Bashkimit Evropian, SHBA, Kanada, Australi.
Lista tashmë propozohet të shtohet me 8 vende të tjera. Në nenin 2 të ligjit të miratuar në vitin 2015 “për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” propozohet të shtohen edhe vende të tilla si Zvicra, Norvegjia, Islanda, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova.
Të gjithë ata shtetas që janë dënuar me një vendim jopërfundimtar nga një autoritet gjyqësor i këtyre vendeve, por edhe ata që kanë një vendim dëbimi nga territori i këtyre shteteve nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut.
Propozimi është bërë në Kuvend nga deputeti i opozitës së re Vasil Sterjovcki dhe pritet të diskutohet me nisjen e sesionit të ri. Deputeti e jusitfikon këtë propozim me argumentin se në këto vende ka një komunitet të konsiderueshëm emigracioni shqiptar.
Po ashtu ky ndryshim merr shkas edhe nga rastet e disa të zgjedhurve vendore që shkuan para gjykatave dhe lanë mandatet për shkak të dënimeve të mëparshme. /tirananews.al
S’lejohen të zgjidhen ata që janë dënuar me një vendim gjyqësor nga një autoritet
a)i një shteti anëtar të BE-së
b) SHBA-së
c) Kanadasë
ç) Australisë
d) Zvicrës
dh) Norvegjisë
e) Islandës
f)Serbisë, Malit të Zi
g) Maqedonisë së Veriut
gj) Bosnje dhe Hercegovinës
h) Kosovës
