Bashkia Mat prej dy vitesh ka bërë kujdes për pastrimin e mjedisit. Vendgrumbullimi kryesor i mbetjeve nuk është më shqetësim për banorët e Burrelit, Komsisë dhe zonës përreth. Izolimi me dhe’ i plehrave ka bërë që të eleminohet era e rëndë dhe tymi.
Ndërkohë që çdo të premte të fundmuajit qindra punonjës të administratës lokale dhe institucioneve angazhohen në pastrimin e territorit, nga zona më e largët dhe deri në rrugën nacionale Burrel-Shkopet.
Ditët e fundit Bashkia Mat ka ndërmarrë tjetër aksion. Me urdhër të kryetarit të bashkisë janë mbyllur 30 hotspote mbeturishash. Më herët kryebashkiaku Agron Malaj siguroi informacionin e nevojshëm nga tetë administratorët për gjendjen e krijuar në fshatrat e Matit dhe pastaj u mundësua ndërhyrje me mjete dhe forca për “zhdukjen” e mbetjeve të ndryshme, organike dhe inorganike.
Falë ndërhyrjes së fundit janë larguar dhe izoluar dhjetra ton plehra. Bashkia është e vendosur që të sigurojë kosha për mbetjet në të gjitha njësitë administrative si dhe të mbulojë me dhe’ mbetjet që do të grumbullohen.
Bashkia Mat kërkon nga banorët e fshatrave të bëjnë kujdes dhe të mos i hedhin mbetjet në përrenj e lumenj pasi pastrimi bëhet më i vështirë dhe ndotja krijon probleme për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, por ti hedhin ato në kosha.