Përfaqësuesja gjermane ka nisur sot zyrtarisht ekspeditën për të pushtuar përsëri botën nëpërmjet futbollit. Dhe përgatitjet e Myler & Co. do të jenë në një stadium-kështjellë, me kuptimin e plotë të fjalës.
Përfaqësuesja ka udhëtuar sot drejt Dohas dhe më pas me autobus për rreth një orë e gjysmë për të shkuar në Al Ruais, një lokalitet portual në veri të Katarit. Atje, skuadra do të qëndrojë në kompleksin luksoz “Zulal Wellness Resort” dhe do të zhvillojë stërvitjet në një nga ambientet më të veçanta, stadiumin “Al-Shamal.
Stadiumi, i inauguruar në vitin 2011 me një kapacitet prej 5 mijë shikuesish, është i ndërtuar në formën e një fortese. Terreni është i rrethuar nga mure që të kujtojnë ato të kështjellave mesjetare dhe pikërisht ai ka qenë qëllimi, pasi është ndërtuar sipas shembullit të fortesave që në fakt ndërtoi në bregdet sheiku Abdullah bin Jasim Al Thani.
Një impiant që ia bën më të thjeshtë punën e privatësisë përfaqësueses gjermane, pasi është e pamundur që të “spiunohet” nga rivalët mbi atë që po bën në fushë gjatë stërvitjeve.