Mbretëresha e Popit, Madonna ka reaguar pas kritikuave për pamjen e saj në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Grammy”, duke i konsideruar sulmet ageism dhe mizogjini. Ageism-diskriminim ndaj individëve ose grupeve në bazë të moshës së tyre. Mizogjini-mospëlqimi, përbuzja, paragjykimi ose urrejtja ndaj grave.
Të dielën në mbrëmje, ajo prezantoi performancën e Sam Smith dhe këngëtares transgjinore Kim Petras në “Grammy Awards”. Menjëherë pas kësaj, fotot e Madonna-s në ceremoni filluan të qarkullojnë në rrjete sociale, ku shumë njerëz u tallën me pamjen e saj dhe spekuluan për kirurgji estetike.
Në një deklaratë të postuar në Instagram, Madonna u ankua për faktin që komentet për pamjen e saj kishin lënë në hije një moment të rëndësishëm, që Kim Petras ishte gruaja e parë transgjinore që performoi në Grammy.
“Shumë njerëz zgjodhën të flisnin vetëm për fotot e mia nga afër të bëra me një aparat fotografik me lente të gjata nga një fotograf, që do të shtrembëronte fytyrën e kujtdo. Sërish jam shënjestruar nga ageism dhe mizogjinia që përshkojnë botën në të cilën jetojmë”,-tha ajo.
“Një botë që refuzon të vlerësojë gratë pas moshës 45-vjeçare dhe ndjen nevojën për të ndëshkuar nëse ajo vazhdon të jetë një grua me vullnet të fortë, punëtore dhe aventuriere. Asnjëherë nuk ka kërkuar falje për asnjë nga zgjedhjet që kam bërë, as për mënyrën se si dukem apo vishem dhe nuk kam ndërmend ta bëj”,-tha më tej.