Duket se tifozët shqiptarë e kanë pritur me padurim kthimin e Kategorisë Superiore, më shumë se sa mendohej. Ata që kanë qenë më të zjarrtët, këto javë nuk u janë ndarë skuadrave të zemrës. Thuajse në të gjitha ndeshjet kemi parë se si tifozët kanë thyer edhe rregullat e distancimit social vetëm për të ndjekur ndeshjet e ekipeve të tyre, qoftë edhe jashtë stadiumeve, për t’i qëndruar pranë lojtarëve.
Me një numër shumë të reduktuar tifozësh që kanë fatin të jenë në tribuna gjatë ndeshjes si pasojë e protokollit të miratuar nga autoritetet shëndetësorë, për tifozët ultras tribunat janë improvizuar në ambiente pranë impianteve ku luheshin ndeshjet. Për shembull këtë javë tifozët e Tiranës pushtuan tarracën e një pallati në ndërtim pranë impiantit “Niko Dovana”, duke e kthyer në një tribunë të vërtetë.