Mëngjesin e sotëm, grupe qytetarësh serbë janë mbledhur para objekteve komunale në Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë. Njerëz të maskuar shihen në turmat e serbëve në veri të vendit. Instituti Octopus ka fotografuar disa nga ta, derisa ka hedhur shqetësime se mesin e këtyre strukturave ilegale dhe kriminale mund të ketë njerëz që janë të gatshëm për akte terroriste.
“Struktura ilegale dhe kriminale, njerëz të maskuar në protestat në veri. Instituti OCTOPUS shpreh shqetësimin se në mesin e protestuesve mund të ketë edhe njerëz që janë të gatshëm për akte terroriste!”, ka shkruar eksperti i sigurisë, Agim Musliu.
Sipas tij, bashkëpunëtorët e Institutit Octopus, kanë thënë se, protestuesit në terren janë duke u udhëhequr nga ish-policët e dorëhequr serbë të Policisë së Kosovës dhe anëtarë të strukturës kriminale “Mbrojtja Civile”.
Policia e Kosovës dhe paqeruajtësit e KFOR-it kanë shtuar praninë, ndërkohë që serbët në Zveçan kanë hedhur gaz lotsjellës në drejtim të pjesëtarëve të institucionit të sigurisë së Kosovës.