Kryebashkiaku i Matit Agron Malaj prej ditësh është vënë në krye të menaxhimit të situatës së krijuar edhe në këtë zonë nga përhapja e koronavirusit.
Malaj ka ngritur grupet e punës në çdo fshat, njësi administrative e qytet që interesohen për çdo qytetar në nevojë.
Administratorët e tetë njësive, Macukull, Derjan, Burrel, Rukaj, Lis, Komsi, Baz e Ulëz, kryetarët e fshatrave, informojnë kryebashkiakun me shkrim, nëpërmjet rrjeteve sociale në lidhje me punën e kryer çdo ditë.
Megjithëse ende nuk ka situatë të rënduar për ushqime e medikamente, janë kontaktuar 253 pensionistë dhe njerëz në nevojë dhe u është afruar ndihmë ushqimore dhe ilaçe.
Bashkia Mat ka bashkëpunuar ngushtësisht gjatë kësaj periudhe me institucionet e tjera. Kujdes është treguar edhe për sensibilizimin e qytetarëve me vendimet e qeverisë e porositë e mjekëve. /tirananews.al/