Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj bëri të ditur se punimet për transformimin e Piramidës do të nisin këtë verë, duke bërë të ditur lajmin se është dhënë drita jeshile nga qeveria për projektin e Bashkisë së kryeqytetit, atë të kthimit në një qendër teknologjike.
Deklarata u bë nga kryebashkiaku Veliaj në mbledhjen e anëtarëve të Këshillit Bashkiak ku theksoi se bashkë me Fondin Shqiptaro-Amerikan do të nisin shumë shpejt edhe punimet.
“Dua të informoj Këshillin se Bashkia e Tiranës u pajis nga qeveria shqiptare me lejen për të bërë ndërhyrje tek Piramida, kërkoi një leje nga KKT, duke qenë se është një monument i mbrojtur dhe duke qenë se edhe ndërhyrjet do jenë të specializuara për të ruajtur integritetin e asaj ndërtese e cila në bashkëpunim me miqtë dhe aleatët tanë strategjikë në transformimin e Tiranës, me FSHA, ne do fillojmë punimet këtë verë për transformimin e Piramidës”,- tha ai.