4 kisha shekullore në Voskopojë e Vithkuq do të kthehen shumë shpejt në destinacione për t’u vizituar nga turistët vendas dhe të huaj. Lajmin e jep kryeministri Edi Rama, i cili edhe ka shpërndarë foto nga puna, ku thotë se janë destinacione të turizmit historik.
”Puna po vijon pa u ndalur për restaurimin e katër kishave shekullore në Voskopojë e Vithkuq, kisha e Shën Mërisë, Shën Mëhillit, Manastiri i Shën Podhromit dhe Shën Pjetrit, të cilat shumë shpejt do të kthehen në të vizitueshme për mijëra amatorë të turizmit historik”, u shpreh Rama në një postim në rrjetet sociale.
Këto objekte i janë nënshtruar një restaurimi të plotë, pasi si pasojë e kohës së gjatë të ndërtimit dhe faktorëve atmosferikë ishin dëmtuar dhe kërkonin ndërhyrje restauruese. Krahas ndërhyrjeve në strukturë një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe restaurimit të pikturave murale, të cilat kanë pësuar dëmtime.
Voskopoja dhe Vithkuqi janë ndër fshatrat më të bukur turistikë në Korçë, me një pasuri të rrallë kulturore, të cilën e dëshmojnë edhe kishat, monumente të veçanta me vlera arkitektonike dhe artistike.