Tirana, në këtë sezon të ri 2019-2020, përveç shumë ndryshimeve në skuadër, ka bërë lëvizje edhe në sponsorin teknik, që furnizon ekipin me bazën materiale.
Bardheblutë, kanë kaluar nga “Macron”, drejt kompanisë “uhlsport”. Ditën e sotme, kjo kompani ka bërë publike edhe fanellën e parë të Tiranës, që ekipi do të mbajë veshur përgjatë sezonit.
Dizajni është klasik, me shiritat bardheblu në pjesën e përparjme, ndërsa krahët janë të bardhë, me nga një shirit blu në pjesën fundore të tyre.
Pjesa e prapme, është tërësisht e bardhë, ndërsa në pjesën e sipërme është e shkruar “The symbol of the capital”, e përkthyer në shqip, “Simboli i kryeqytetit”. Në pjesën anësore të krahëve, shkruhet gjithashtu “100% proud”(100% krenar).
E veçantë gjithashtu në pjesën e pasme është edhe logo e Tiranës, e cila është e dizenjuar disa herë me një format të vogël, në të gjithë pjesën e shpinës.
Më herët, Tirana gjatë fazës përgatitore, i kishte zhvilluar ndeshjet miqësore me fanellën e tretë, e cila është tërësisht e zezë, me disa shirita të gjelbërt.