Franca dhe Irlanda thonë se nuk do të ratifikojnë një marrëveshje të madhe tregtare me vendet e Amerikës së Jugut, përveç nëse Brazili bën më shumë për të luftuar zjarret në Amazon. Udhëheqësi francez Emmanuel Macron tha se Presidenti Jair Bolsonaro e kishte gënjyer atë për qëndrimin e tij për ndryshimin e klimës.
Aktualisht ka një numër rekord zjarresh në pyjet e shiut të Amazonës – një burim i madh oksigjeni për botën. Grupet mjedisore thonë se zjarret janë të lidhura me politikat e Z. Bolsonaro, të cilat ai mohon.
Udhëheqësit evropianë kanë shprehur gjithashtu shqetësim për zjarret. Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson i quajti zjarret “jo vetëm zemërthyer” por “një krizë ndërkombëtare”.
“Ne jemi të gatshëm të ofrojmë çfarëdo ndihme që mundemi për t’i sjellë ato nën kontroll dhe për të ndihmuar në mbrojtjen e një prej mrekullive më të mëdha të Tokës,” shtoi ai. Kancelarja gjermane Angela Merkel e ka quajtur zjarrin një “emergjencë akute … shokuese dhe kërcënuese jo vetëm për Brazilin dhe vendet e tjera të prekura, por edhe për të gjithë botën”.
Bolsonaro tha të premten se po shqyrtonte opsionet për të luftuar zjarret, përfshirë vendosjen e ushtrisë. Sidoqoftë, ai ka akuzuar gjithashtu zotin Macron për ndërhyrje për “përfitim politik”, duke shtuar se thirrja e Macron për të diskutuar këtë çështje në Samitin e Fundjavës së G7- në të cilin Brazili nuk po merr pjesë- tregoi “një mentalitet të gabuar kolonialist”.
Sa e rëndësishme është marrëveshja tregtare?
Shumë – marrëveshja tregtare BE-Mercosur është përshkruar si marrëveshja më e madhe e BE-së deri më tani.
U deshën 20 vjet bisedime për të arritur marrëveshjen me bllokun e Amerikës së Jugut, e cila përbëhej nga Argjentina, Brazili, Uruguai dhe Paraguai. BE është partneri i dytë më i madh i Mercosur në tregtinë e mallrave, duke përbërë 20.1% të totalit në 2018.
Në të kundërt, eksportet e BE-së drejtuar Mercosur zënë 2.3% të eksporteve totale të BE-së në vitin 2018.
Tregtia përfshin ushqim dhe pije, duhan dhe produkte bujqësore nga ana e Amerikës së Jugut dhe makineri, kimikate dhe produkte farmaceutike nga BE.