Shqipëria sfidon kampionët e botës në takimin e vlefshëm për eliminatoret e Europianit. Data 7 shtator e vitit 2014 duhet të shërbejë si një frymëzim për grupin aktual të futbollistëve shqiptarë. Si sot pesë vite më parë, ekipi i drejtuar nga Xhani De Biazi arriti të merrte një fitore historike në transfertën me Portugalinë në nisjen e rrugëtimit për në Europianin 2016.
Pesë vite më vonë, e njëjta datë, e njëjta dëshirë, i njëjti mision, e njëjta vështirësi. Ndryshojnë vetëm disa aktorë (lojtarët, trajneri) dhe kundërshtari. Asgjë nuk është e pamundur, prandaj në Francë, Shqipëria mund ta përsëritë të njëjtën histori si në 7 shtatorin e vitit 2014. Për sa i përket statistikave, në total, Shqipëria ka luajtur 7 herë me Francën, ku veç atij suksesi 1-0 në Elbasan, falë golit të Kaçes, te rezultatet pozitive hyn edhe barazimi 1-1 në Francë në nëntorin e 2014-ës. Të dyja ndeshjet kanë qenë miqësore, ndërkohë që në 5-së përballjet e tjera, kuqezinjtë janë mposhtur.
T’i kërkosh sot Shqipërisë të marrë pikë kundër Francës mund të duket e tepruar. Jo vetëm sepse jemi në një periudhë tranzicioni dhe Reja është trajneri i dytë brenda këtij edicioni, por sepse po luajmë kundër kampionëve të botës.
Në shtëpinë e tyre… Më e vështirë se kaq nuk mund të bëhej, as për Kombëtaren tonë dhe as për trajnerin. Por ja që për dreq, Shqipërisë i duhet shumë një rezultat pozitiv kundër “gjelave”. I duhet edhe Rejas për kontratën e së ardhmes, por mbi të gjitha Shqipërisë. Ka shumë të ngjarë të mos shkojmë në Europian edhe nëse e mundim Francën sot, por na duhet patjetër një shkëndijë…