FSHF ka vendosur që inaugurimi i stadiumit të ri në kryeqytet, “Arena Kombëtare”, të bëhet në nëntorin e këtij viti, për ndeshjen e kuqezinjve ndaj Francës në eliminatoret e Euro 2020. Por pikërisht nga Franca bëhet e ditur se stadiumi nuk është ende gati dhe se do t’i nënshtrohet një kontrolli shumë rigoroz nga UEFA e cila nuk fal për raste të tilla, sidomos kur bëhet fjalë për një sfidë e cila mund të përcaktojë kualifikimin e dy ekipeve.
Gazeta sportive franceze “L’ Equipe” ka shpjeguar në një artikull të saj se sfida mes dy kombëtareve do të zhvillohet më 17 nëntor, por çështja e stadiumit nuk është vendosur ende, pasi vetë UEFA nuk e ka konfirmuar nëse dueli do të luhet në Tiranë apo jo. Burime të FSHF-së kanë insistuar për gazetën franceze se gjithçka do të jetë gati në “Arenën Kombëtare”, por më parë duhet kaluar prova ndërkombëtare.
“Drejtuesit e palës shqiptarë duhet të vërtetojnë para autoriteteve europiane se gjithçka do të jetë në rregull. Nëse kjo ndeshje do të jetë vendimtare për kualifikimin e mëtejshëm, ajo do të luhet në të njëjtën orë me sfidat e tjera, në 20:45. UEFA, e cila nuk njihet për tolerancën e saj, mund të jetë shumë kërkuese në inspektim. Në vitin 2015, ndeshja e fundit Shqipëri-Francë u luajt në Elbasan, 40 kilometra larg kryeqytetit. Por për momentin, Federata Shqiptare nuk e mendon këtë lloj zgjidhje”, shkruan e përditshmja franceze.
![](https://tirananews.al/wp-content/uploads/2019/09/lequipe.jpg)