Partia “Demokracia e re” e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis ka bërë gati listën e kandidatëve për zgjedhjet në Parlamentin Europian. Mediat greke shkruajnë se është lënë e hapur mundësia që pjesë e saj të jetë edhe kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri.
Televizioni SKAI raporton se të afërm të Belerit kanë konfirmuar kontaktet “Demokracia e re” dhe kanë arritur në përfundimin se nuk ka asnjë pengesë ligjore për këtë. Mediat greke shkruajnë se të martën e 19 marsit mund të ketë një kthesë në procesin gjyqësor të Belerit që tashmë është dënuar nga Gjykata e Posaçme me 2 vjet burg. Kryeministri grek në një intervistë për SKAI e përmendi edhe këtë çështje.
“Ne kemi shprehur rezervat tona më të forta për faktin se ai nuk u lejua të bënte betimin dhe nëse ishte një proces i drejtë. Ne do të këmbëngulim, nuk ka vendim përfundimtar, por një vendim të shkallës së parë. Mënyra se si Shqipëria e menaxhoi këtë çështje ka ndikuar negativisht në marrëdhëniet me Greqinë”,-tha kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.