Anglia nuk ka mundur që të hipotekojë që sot kualifikimin e mëtejshëm në Kampionatin Europian pasi është ndalur në një barazim pa gola në derbin britanik kundër Skocisë. Skuadra e drejtuar nga Garet Sauthgejt, ka zhvilluar një ndeshje jo edhe aq bindëse, duke u ndalur në një 0-0 që tashmë fillon të ngrejë pikëpyetje mbi zgjedhjet e trajnerit.
Me emra si Grelish, Sanço e Rashford që përsëri nuk aktivizoheshin nga minuta e parë, anglezët u munduan që të bënin të njëjtën lojë si ndaj Kroacisë me mbajtjen e topit në pritje të gabimit, por këtë radhë skocezët ishin të vendosur mirë në prapavijë. Ata nuk lanë hapësira për sulmuesit anglezë të cilët nuk merrnin dot topin pranë zonës kundërshtare.
kështu, pjesa e parë u mbyll me nga një rast të pastër për secilin ekip, ndërsa në të dytën kishte më shumë ritëm por përsëri me ekipet që rrezikuan vetëm me aksione rastësore më shumë se me ide të qarta të asaj që po kërkonin. Kështu, sfida u mbyll me një barazim 0-0 që lë gjithçka të hapur për skuadrat. Anglezëve u duhet tashmë të mposhtin Republikën Çeke për të marrë vendin e parë në grup, ndërsa Skocia ka ende shanse të vazhdojë më tej në turne në sfidën e fundit kundër Kroacisë.
Anglia (4-2-3-1): Pikford; Xhejms, Mings, Stouns, Shou; Rajs, Filips; Sterling, Maunt, Foden; Kejn.
Trajner: G. Sauthgejt
Skocia (3-5-2): Marshall; Hanli, MekTominei, Tierni; O’Donëll, MekGin, Gilmur, MekGregor, Robertson; Dajks, Adams.
Trajner: B. Klark