Ndryshim i plotë i planit për këtë fundjavë në Kategorinë Superiore. Federata Shqiptare e Futbollit, e ndikuar nga përllogaritjet që kanë filluar të bëjnë klubet sa i përket luftës për mbijetesë apo Europës, ka vendosur që ndeshjet tani e tutje të luhen të gjitha në të njëjtën datë e orë, deri në mbyllje të sezonit.
Edhe pse rregullorja parashikon që një gjë e tillë të ndodhë vetëm në tre javët e fundit, FSHF ka përshpejtuar vetë gjithçka, duke udhëzuar klubet që takimet e tyre do të luhen të gjitha në të njëjtën ditë dhe të njëjtin orar.
Kështu, sfidat e javës së 32-të, të cilat ishin planifikuar të shtunën të ndara 2 në orën 16:00 dhe 2 në orën 19:00, janë zhvendosur të gjitha në orën 15:00 të së njëjtës ditë,. Në këtë mënyrë, asnjë nga skuadrat nuk do të ketë mundësinë që të mendojë e planifikojë rezultatet në varësi të ndeshjeve të rivalëve. Sigurisht, shpresohet që të mos shohim edhe një herë skenat e zakonshme qesharake të viteve të kaluara, kur rezultatet ndryshonin paralelisht në të njëjtin drejtim në sfida të ndryshme.