Në Ditën Kombëtare të Rinisë, të rinjtë shqiptarë vijojnë të qëndrojnë para dyerve të ambasadave për të ikur shpesh edhe pa kthim nga Shqipëria. “Rrotullohemi ku të duam dhe shkojmë sërish te të njëjtat arsye. Tek punësimi, niveli i jetesës, pagat më të larta. të gjitha këto. Është çështje ekonomike domethënë. Nuk është dëshira që largohemi nga vendi. Jemi të detyruar”.
Në pritje të publikimit të gjetjeve të Cens-it, të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se vetëm në tetë vitet e fundit, numri i të rinjve deri në 24 vjeç është pakësuar me 206 mijë. Sot protestohet. Po aq paqësisht, madje në heshtje. Thuajse për të njëjtat arsye si 33 vite më parë, por në tjetër formë. Të rinjtë po e shprehin zhgënjimin duke braktisur shtëpitë e tyre. Largimi në masë dhe i vijueshëm i të rinjve ka bërë që mosha mesatare në vend të rritet, duke u rritur me 3.8 vite vetëm në harkun e viteve 2015-2023.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi në mesazhin e tij thekson se 570 mijë të rinj janë larguar nga vendi. Ai thotë se drama e madhe e shpopullimit duhet të marrë fund dhe që rinia të marrë në dorë fatet e veta për të ndëshkuar modelin korruptiv dhe kriminal të kësaj qeverie. Kurse Sali Berisha deklaroi nga selia e Partisë Demokratike se kryeministri Edi Rama e ka zhbërë 8 dhjetorin, duke vendosur atë që e quajti “diktaturë bande”.
Lexoni edhe https://tirananews.al/homazh-per-studentet-e-dhjetorit-90/
Lexoni edhe https://tirananews.al/nga-dhjetori-ne-dhjetor/