Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar me një mesazh urimi për Presidenten Vjosa Osmani, pas ftesës që Kosova ka marrë për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një iniciativë të nisur nga Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.
Rama e ka vlerësuar këtë ftesë si një “gjest tejet domethënës” nga ana e Presidentit amerikan dhe një mundësi për të forcuar më tej marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan:
“Urime zonja Presidente, e dashur Vjosa, për marrjen e ftesës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një gjest tejet domethënës i Presidentit Trump ndaj Kosovës, që forcon më tej marrëdhënien e Amerikës mike me popullin shqiptar, por që edhe jep një sinjal domethënës për sigurinë e përkatësinë e Kosovës në hapësirën e interesit të gjerë amerikan në botë.”
Edhe njëherë urime dhe dua të besoj se faktorët politikë të Kosovës, do ta çmojnë këtë dorë të shtrirë nga Presidenti i SHBA, si një gjest që nuk është aspak pa lidhje edhe me respektin për ty personalisht e për rolin tënd ndërkombëtarisht.”
