Deputetja Aurora Mara dhe kryetari i bashkisë Mat janë takuar me gra të qytetit Burrelit, veteranë të LANÇ-it, pensionistë, ish ushtarakë dhe të rinj të rrethit.
Mara është shprehur se është shumë e vlerësuar nga Partia Socialiste, kryeministri Edi Rama dhe strukturat lokale të partisë, pasi ajo renditet e dyta në listën e PS-së për Qarkun e Dibrës.
“Edi Rama është vizionar, i vendosur, reformator, këmbëngulës, i vëmendshëm. Kush tjetër veç Ramës mund ta ndërtonte Rrugën e Arbërit? Kush tjetër mund të realizonte reformën në drejtësi? E gjithë Shqipëria është kthyer në kantier ndërtimi, paçka se kaluam fatkeqësinë natyrore të tërmetit dhe pandeminë. Kjo na bën ta mbështesim Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama”, është shprehur deputetja Mara në këto takime.
Sakaq kryebashkiaku Agron Malaj e ka vënë theksin në faktin se pas shumë dekadash qeveria ka kthyer vëmendjen nga Mati dhe matjanët.
“Ne, nënvizoi Malaj, ja kemi borxh votat Edi Ramës. Investimet e mëdha në qarkun e Dibrës dhe në veçanti në rrethin e Matit tregojnë se tashmë kjo trevë po mbështetet nga qeveria. Brenda një viti e gjysëm po investohet në sektorë të rëndësishëm, rrugë, ujësjellësa, sheshe, lulishte, shkolla, kudo. Të tjera projekte serioze janë gati për t’u realizuar në qytetin e Burrelit dhe 7 njësitë e tjera administrative.”