Pas pesë fitoresh dhe një humbjeje, Klubi i Futbollit të Bulqizës, KF Bulqiza, ka zhvilluar pasditen e sotme ndeshjen e radhës, kundër ekipit të KF Osumit të Urës Vajgurore, e cila u mbyll me rezultatin tronditës 15-2 në favor të bulqizakëve.
Takimi u luajt në Kompleksin Sportiv “Loro Boriçi” në Kamëz. Përgjatë 90 minutave djemtë e talentuar të KF Bulqiza tregoi dominancë absolute në fushë. Ndërkohë nga ana tjetër, djemtë e KF Osumit nuk janë dukur aspak në formë sot.
Që në minutat e para të pjesës së parë, KF Bulqiza arriti të kalojë në avantazh nëpërmjet një goli të shënuar nga ana e lojtarit Anxhelo Molla, ndërsa pak çaste më vonë Endri Kaca shënoi golin e dytë. Nuk vonoi shumë kur Denis Kurti çoi në rrjetë edhe topin e tretë për Bulqizën, për të vijuar më tej me Likën, Shkretën, Kacën, Dajtin, etj. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin tronditës 9-0.
Ndërkohë në minutat e para të pjesës së dytë, mbase edhe nga neglizhenca e djemve bulqizakë, KF Osumi arriti të çojë në portë topin e parë, ndërkohë më vonë shënuan edhe një të dytë. Megjithatë, ashtu sikurse në pjesën e parë, edhe në të dytën KF Bulqiza nuk mund të largohej nga fusha pa një breshëri tjetër golash, ku shënoi edhe 6 të tjerë, duke e vulosur ndeshjen me rezultatin e thellë 15-2.
Kujtojmë që kjo është përballja e dytë mes këtyre dy skuadrave. Në përballjen e parë në javën e parë të kampionatit, Bulqiza mundi të triumfojë me rezultatin 6-0 ndaj Osumit, ndërsa ndeshja e sotme e kthimit ka rezultuar fatale për këtë të fundit.
Pra, në dy ndeshje Bulqiza fiton me rezultatin 21-2, rezultat ky befasues.