Situatë absurde te klubi i Sampdorias, me tifozët që kanë kaluar çdo limit në betejën e tyre kundër presidentit Masimo Ferrero. Ky i fundit i është drejtuar policisë së Romës për ndihmë, duke kërkuar hapjen e një hetimi, pasi tashmë situata ka shkuar deri aty sa kërcënohet me jetë.
Edhe klubi ka konfirmuar se ngjarjet kishin kaluar çdo kufi dhe tashmë fyerjeve, të shkruarave ofenduese në mure dhe kërcënimeve në rrjetet sociale, i ishin shtuar edhe ato reale. Sipas asaj që është mësuar nga mediat italiane, në shtëpinë e presidentit në Romë kishin mbërritur të paketuar edhe plumba.
Ultrasit kanë kërcënuar vazhdimisht me jetë presidentin e si rrjedhojë, ky i fundit, për të mbrojtur familjen e tij, i është drejtuar policisë. Ultrasit akuzojnë Ferreron se ka dashur të përfitojë më shumë nga shitja e Sampdorias ndaj edhe dështoi shitja e saj te grupi që përfaqësohej nga Xhanluka Viali.