Shkencëtarët po këshillojnë për kujdes pas njoftimit nga kompania Pfizer se vaksina e saj kundër COVID-19 ka dëshmuar një nivel efektiviteti më të lartë se 90%. Vaksina në fjalë është testuar tek 43,500 njerëz në gjashtë shtete pa ngritur shqetësime për sigurinë. Megjithatë, ende nuk janë publikuar të gjitha të dhënat shkencore.
Ndërsa njoftimi nga firma Pfizer është një lajm i mirëpritur, shkencëtarët dhe mjekët po paralajmërojnë se çdo festim është i parakohshëm. Detajet e publikuara nga kompania Pfizer, e cila ka bashkëpunuar me firmën gjermane BioNTech, janë thjesht paraprake.Ajo ka në plan të marrë miratimin nga qeveria federale për përdorim emergjent deri nga fundi i muajit.
Vaksina në vetvete është shumë e ndryshme nga të tjerat, shpjegon Dr. Simon Clarke, profesor i mikrobiologjisë në Universitetin Reading.
“Është një mënyrë e re e ndërtimit të vaksinës për të cilën njerëzit janë përpjekur pa sukses për shumë vite. Një pjesë e vogël e materialit gjenetik (RNA acidi ribonukleik) dhe kopje të tij injektohen tek njeriu. Qelizat muskulore tërheqin molekulën e lirë dhe formojnë proteina nga virusi. Pra jo virusin në vetvete, por copëza të vogla nga virusi. Sistemi imunitar reagon me pëgjigje imune ndaj tyre. Mënyra tradicionale e vaksinës është kur merret virusi i tërë, i cili asgjesohet me nxehtësi apo kimikate, ose copëza të virusit dhe injektohen tek njerëzit për të aktivizuar një përgjigje imune.”