Gennaro Gattuso u emërua sot si trajneri i ri i gjigandëve francezë të Marseille pas dorëheqjes së Marcelino Garcia Toral javën e kaluar.
“Jam shumë i lumtur dhe krenar që i bashkohem Marsejës – një klubi dhe një stadiumi, Velodromi, në të cilin pata mundësinë të luaja dhe i cili është i famshëm në të gjithë Evropën për pasionin dhe entuziazmin që buron prej tij”, tha 45-vjeçari menjëherë pas nënshkrimit të kontratës.
Gattuso ka drejtuar Milan dhe Napoli, por ka qenë një trajner i lirë që kur u largua nga Valencia në fillim të këtij viti. Ndeshja e parë e “timonierit” në krye të kësaj pankine do të jetë kundër Monakos të shtunën. Me interes të madh pritet të shihet sesi do ndryshojë skuadra, tashmë me një ekspert në stol si Gatusso.