Gati dy muaj nga ceremonia VIP martesore, vjen lajmi se Gaz Paja pret të bëhet baba për herë të parë. Bashkëshortja e tij, Ira Seferi, e kishte fshehur më së miri barkun e rrumbullakosur poshtë fustanit të bardhë, ndërkohë që menjëherë pas mbarimit të dasmës, çifti u nis për muaj mjalti në Turqi.
Ndërkaq, këto ditë Gazi dhe Ira po i kalojnë në jug të vendit, në resortin që aktori ka në Dhërmi. Ndërkohë, burime pranë çiftit janë shprehur se shtatzënia e paplanifikuar e partneres detyroi Gaz Pajën të merrte vendimim brenda nate për ceremoninë e dasmës, të cilën e kishte lënë për një kohë të pacaktuar.
Dëshmi e këtij fakti u bë edhe situata e ngarkuar që iu krijua Gazit, pasi pak pas celebrimit të dashurisë së tij në martesë, ai u shfaq krah Erion Veliajt në çeljen zyrtare të fushatës për zgjedhjet lokale të PS-së. Më pas u mbajt ceremonia me 300 të ftuar në Tiranë, në ambientet e hotelit luksoz “Plaza”, në qendër të Tiranës. Aktori i njohur i spektaklit të humorit “Portokalli” vendosi t’i japë fund beqarisë në moshën 41- vjeçare, me bionden e panjohur në publik, që ai vetë e konsideroi “e bukura e dheut”.
Ndonëse i rezervuar për jetën e tij private, ai rrëfeu ndër të tjera para se të martohej se e dashura e zemrës është njeri shumë i kuptueshëm, përballë natyrës së tij impulsive.
Një vit më parë, Gazi u shpreh se po jetonte lidhjen, por martesa nuk ishte ende në planet e tyre. Gazi, paralelisht me karrierën në televizion apo rolet në teatër, ka arritur të ngrejë edhe bizneset e tij, siç është një restorant në jug të vendit, për të cilin ai punon gjatë muajve të verës kur nuk shfaqet në ekran.
I shkolluar në Greqi dhe i specializuar me master në Londër, Gazi arriti të krijojë një standard jete për t’u pasur zili. Për herë të parë u fol për këtë lidhje të re me Irën verën e 2017-ës, pasi u panë dhe u fotografuan në plazhet e jugut. Më pas, çifti shihej gjithandej bashkë.