Për gazetarin e njohur Lutfi Dervishi ligji për dekriminalizimin nuk ka gjetur zbatim kudo, paçka se deri tani janë ndëshkuar deputetë, kryetarë të bashkive, këshilltarë dhe punonjës të administratës publike. Sipas tij ligji duhet të ndëshkojë këdo që nuk deklaron të vërtetën, por gënjen.
Postimi i Dervishit:
Parlamenti shqiptar, para se të votonte, vetingun për pastrimin e Drejtësisë, votoi ligjin e dekriminalizimit për të pastruar politikën/vetveten. 5 vjet pas nisjes së debatit është koha për bilanc, por edhe për pyetje që ende nuk kanë përgjigje.
Në rrjetën e dekriminalizimit kanë mbetur 13 deputetë, 6 kryetarë bashkie, janë penalizuar 54 këshilltarë dhe 251 persona janë larguar nga administrata. Por askush nuk mund të thotë se ligji është respektuar 100%.
Kur u miratua ligji, shumëkush mendonte se frika nga ndëshkimi do t’i mbante larg nga politika të gjithë njerëzit me precedente penalë. Eksperienca e këtyre pesë viteve, sidomos rastet e fundit me kryetarë bashkie të inkriminuar, na kanë kthjelluar se “grykësia” e të inkriminuarve qenka stimul më i fortë se frika. Ligjj i dekriminalizimit mesa duke nuk e paska armën e tij më të fortë frikën. Po ndëshkimi a është arma e tij e fortë?
Ligji i konsideruar i ashpër dhe unik në kontinentin europian bazohet në vetëdeklarim. Një deklarim i rremë/i pasaktë të bën subjekt të nenit 190 të kodit penal për fallsifikimin dhe automatikisht do të thotë heqie lirie. Raste flagrante të shkelje së këtij neni nuk mungon ajo që mungon është një rast i vetëm që shkelësit të kenë përfunduar në dorën e drejtësisë.