Sipas gazetarit Artan Hoxha, atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj ka dëmtuar shumë ekuilibra në Durrës.
Në një intervistë në “News 24”, ai deklaroi se e gjithë skena e botës së krimit ka ndryshuar pas atij atentati, të cilin e cilësoi me sfond politik.
“E kam thënë që kur ka ndodhur atentati se kjo ngjarje ka prishur shumë ekuilibra në Durrës dhe nga ky moment do fillojë një betejë e madhe me pasojë të rënda. Kemi hyrë në vitin e katërt dhe në Durrës ka ndryshuar krejt skena e botës së krimit, nuk janë më ata që ishin dhe kanë ardhur të tjerë. Porti kontrollohet nga persona të tjerë. Në atentatin ku u plagos “Rrumi” i Shijakut dhe ish-prokurori ishte përgjigje e një atentati të mëparshëm. Këto ngjarje kanë lidhje edhe me jetën politike e ekonomike të qytetit të Durrësit, duke përfshirë edhe fushatën zgjedhore. Para se të goditej prokurori u deklarua se ai ishte bërë palë me krimin. Në dosje bashkë me prokurorin u gjet një personazh i botës së krimit dhe një numër i madh dosjesh në lidhje me tjetërsimin e pronave në Gjirin e Lalzit. Kjo është një ngjarje me profil të pastër politik. Janë një seri ngjarjesh për atë që ka ndodhur në Durrës, nuk mjafton vetëm atentati ndaj prokurorit”, tha Hoxha.